Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, i ka thënë homologes nga Kosova, Vjosa Osmani, se shteti duhet të punojë për krijimin e kushteve të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, në takimet e zhvilluara me zyrtarë të shtetit polak, ka folur për reformat në drejtësi dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve
Liderët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, i kanë vijuar takimet me zyrtarë të vendeve të Bashkimit Evropian, gjatë të cilave është diskutuar për zhvillimet e fundit dhe perspektivën evropiane.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e ka pritur në takim homologen nga Kosova, së cilës i ka thënë se duhet punuar për t’i krijuar kushtet për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës.
“Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, theksoi presidenti federal gjatë bisedimeve. Vendi duhet të punojë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, thuhet në një njoftim të publikuar në rrjete sociale nga Presidenca e Gjermanisë.
E në njoftimin e Presidencës së Kosovës shkruan se Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, shkruan në komunikatën e Presidencës.
Në të theksohet se Osmani e ka cilësuar Procesin e Berlinit shtysë të fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kontekst ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. Në takim me presidentin Steinmeier, presidentja Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve. Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq kryeministri Kurti në ditën e dytë të vizitës në Poloni e ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë së këtij shteti.
“Takimin e radhës në Varshavë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga shefi i Misionit të Kosovës në Poloni, ambasadori Drilon Gashi, e zhvilloi me ministrin polak të Drejtësisë, Adam Bodnar. Bashkëpunimi i afërt në çështje të sundimit të ligjit dhe reforma në sistemin e drejtësisë përfshirë vetingun, ishin ndër çështje kryesore që u diskutuan përgjatë takimit. Kryeministri Kurti theksoi përparimin që Kosova ka shënuar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, që është vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare. Së fundmi, raporti i kompanisë amerikane “Gallup” e renditi Kosovën në top 10 vendet e botës me vlerën më të lartë të Indeksit Global të Ligjit dhe Rendit”, shkruan në njoftimin e Qeverisë.
Dita e dytë e pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në Forumin e Varshavës për Siguri filloi me takimin bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, Hanno Pevkur.
“Republika e Kosovës dhe Estonia kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe, të cilat kryeministri Kurti dhe ministri Pevkur në këtë takim shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për t’i zgjeruar edhe më tutje. Krahas bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, ku Kosova po përfiton nga përvojat dhe ekspertiza e Estonisë, gjatë bashkëbisedimit sot u diskutua rreth mundësive për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Kryeministri Kurti theksoi se mbështetja e Estonisë është shumë e rëndësishme në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe rolin e saj kontribuues në stabilitetin e rajonit”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Një ditë më parë Kurti mbajti fjalim në këtë forum, ku tha se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për fqinjët në Ballkanin Perëndimor duke përdorur modelin rus.