13.5 C
Sterling Heights
09/05/2024, 15:42
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Vlera e madhe e së artës evropiane të Distria Krasniqit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetVlera e madhe e së artës evropiane të Distria Krasniqit

Në shkallën më të lartë të podiumit në ngjarjen kryesore kontinentale. Distria Krasniqi të enjten iu gëzua një titulli të ri të Evropës.

E arta në kategorinë deri 52 kilogramë ka vlerë të shumëfishtë për Distria Krasniqin dhe për xhudon kosovare në përgjithësi.

Ka mbi një dekadë që xhudistët kosovarë fitojnë rregullisht medalje në kampionate evropiane. Vazhdimin e kësaj ecurie të jashtëzakonshme në Zagreb e mundësoi Distria, ndonëse ka mbetur të garojë edhe Loriana Kuka.  Me medalje të artë, Distria ka fituar 700 pikë dhe do të mbetet e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo po ashtu u është revanshuar disa rivaleve për humbje të mëhershme. Ka dëshmuar që periudhën e ambientimit për shkak të ndryshimit të kategorisë e ka kaluar me sukses të plotë. Dhe po ashtu me paraqitje bindëse dëshmoi që është në rrugën e duhur për të fituar tjetër medalje olimpike.

“Distria shfaqi nivelin që ka. Është rrahur me shumë besim. Shpresoj të paraqitet kështu edhe në Paris”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Distria Krasniqi e trajneri Kuka kanë festuar me pasion të artën evropiane. Mënyra e festës ka dëshmuar se sa e rëndësishme ishte kjo medalje për të gjithë ekipin e Kosovës në xhudo.

Anna Borodina e Ukrainës, Ana Viktorija Puljiz e Kroacisë, Ariane Toro Soler e Spanjës dhe Odette Giuffrida e Italisë ishin xhudistet e mposhtura nga Distria. Vetëm me Giuffridën, me të cilën tashmë i ka dhjetë përballje, Distria u sfidua. Por edhe ndaj saj dominoi nga fillimi e deri në fund. Tashmë bilanci me Giuffridan është 6:4 në të mirë të xhudistes kosovare.

Për Distrinë është titulli i dytë i Evropës për seniore. Është i pari në kategorinë deri 52 kilogramë. Në vitin 2021 ishte kampione në kategorinë deri 48 kilogramë. Ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta.

Distria fiton medalje në secilën garë ku paraqitet. Së fundi pa medalje kishte mbetur në Botërorin 2023, në majin e kaluar.

“Është titulli i parë në 52 kilogramë dhe do të thotë shumë për mua. Finalja ishte shumë e fortë, por i jam përmbajtur planit të luftës. Rrugëtimi për në Paris po bëhet shumë mirë”, ka thënë Distria për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos.

Para Olimpiadës është Botërori në Abu Dabi, në mes të muajit maj. Distria ka thënë se planifikon të garojë, porse ka thënë që ende nuk është e vendosur plotësisht. Natyrisht këtë do ta vendosë në konsultim me trajnerin Driton Kuka.

Ndonëse fitoi titull të Evropës dhe nuk u rrezikua asnjëherë, Distria thotë se ende nuk është në formën më të mirë.

“Do të thosha që më së shumti momentalisht jam në 70 për qind të mundësive. Unë nuk shkoj në 100 për qind. Kjo do të ishte Distria e përsosur, e pagabueshme. Me 95 për qind do ta fitoja me siguri të artën në Paris”, ka shtuar Krasniqi.

Evropiani tashmë është i suksesshëm për Kosovën, falë Distrisë. Viti 2024 është po ashtu i suksesshëm për Distrinë, falë së artës evropiane.

Por ajo synon shumë më tepër. Synon tjetër vend në podiumin magjik të Lojërave Olimpike. Të enjten në Zagreb dëshmoi që është në rrugën e duhur.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img