24.7 C
Sterling Heights
30/06/2026, 1:32
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i bashkohet protestës në Tiranë: “Shqipëria nuk duhet të durojë më korrupsionin”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetZëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i bashkohet protestës në Tiranë: “Shqipëria...

Në protestën e zhvilluar këtë mbrëmje përpara Kryeministrisë në Tiranë mori pjesë edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili u shfaq mes protestuesve duke mbajtur në kokë një qeleshe të zbukuruar me flamurin kombëtar shqiptar.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, eurodeputeti rumun bëri një krahasim mes përvojës së Rumanisë pas rënies së regjimit komunist dhe situatës që, sipas tij, po përjeton Shqipëria. Ai kujtoi se ishte fëmijë kur pa fundin e diktaturës në vendin e tij dhe tha se shqiptarët nuk duhet të pajtohen me atë që e cilësoi si vazhdimësi të tranzicionit dhe korrupsionit.

Ștefănuță u prezantua si biri i një bariu rumun dhe tha se ndihej i afërt me shqiptarët, duke e përshkruar Shqipërinë si një “komb motër”. Në fjalimin e tij ai u shpreh se qytetarët meritojnë institucione demokratike dhe një të ardhme pa korrupsion, duke i inkurajuar protestuesit të vazhdojnë angazhimin e tyre qytetar.

Duke iu referuar mungesës së kryeministrit në vendin ku zhvillohej protesta, eurodeputeti tha se qytetarët nuk duhet të kenë frikë dhe se, sipas bindjes së tij, ata ndodhen në “anën e duhur të historisë”. Ai shtoi se rruga drejt ndryshimit mund të jetë e gjatë, por theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe të mbrojtjes së vlerave demokratike.

Në përfundim të fjalës, Ștefănuță shprehu krenarinë që mbante qeleshen tradicionale shqiptare dhe uroi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimi Evropian, duke e konsideruar integrimin evropian si një objektiv të rëndësishëm për vendin.

Prania e një zyrtari të nivelit të lartë të Parlamentit Europian në protestën e mbajtur në Tiranë pritet të tërheqë vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa zhvillimet politike në Shqipëri vazhdojnë të ndiqen me interes nga institucionet evropiane.

Ja nje pjese e fjales se Nicolae Ștefănuță;

“Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zv.president i PE-së, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem në Shqipëri, Shqipëria është kombi ynë motër. Isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të bjerë nga qeveria. Ju duhet të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por nuk keni pse duroni diktaturën më, mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion. Pse janë evropianët këtu dhe pse nuk është Edi Rama këtu? Ndoshta ka frikë! Nëse ai ka frikë, ju nuk duhet të keni frikë. Mbani mend, rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Jam krenar të vesh këtë qeleshe dhe shpresoj që të jetë në BE një ditë.”

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img