Ambasadorja e BE-së: Anëtarësimi i Shqipërisë varet nga ritmi i reformave dhe zbatimi i tyre
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka kërkuar konsensus politik dhe debat të hapur në Kuvend për reformat që lidhen me procesin e integrimit europian.
Duke komentuar udhërrëfyesin e ri të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ambasadorja theksoi se objektivi është i arritshëm, por mbetet një proces sfidues, që kërkon angazhim politik, përpjekje dhe zbatim konkret të reformave.
Në deklaratën e saj, ajo nënvizoi se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha forcave politike dhe se ritmi i përmbushjes së objektivave do të përcaktojë ecurinë e negociatave.
Deklarata e plotë e ambasadores Sofia Moreira de Sousa:
“Reformat kërkojnë konsensus të mirë dhe debat të hapur në Kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike. Synimi për t’u anëtarësuar në BE është zgjedhje që e kanë bërë qytetarët shqiptarë, prandaj janë kyçe konsultimet e vërteta dhe kuptimplota. Këto reforma nuk synojnë të kënaqin Brukselin, por të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe demokratike, të gatshme për t’u bërë pjesë e BE-së. Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk kemi mbërritur në fund të këtij rrugëtimi.
Shqipëria mori dje udhërrëfyesin, në të cilin nuk ka më afate të tjera kohore, por merret parasysh synimi dhe kalendari që Shqipëria ia ka caktuar vetes për t’u bërë pjesë e BE-së. Është e mundshme, por është punë sfiduese. Kërkon shumë përpjekje dhe shumë punë. Ajo pjesa e fundit varet nga ritmi që do t’i japësh vetes.
Ka të bëjë me zbatimin e reformave dhe diskutimet që duhen bërë me të gjithë shoqërinë shqiptare, për t’i treguar se çfarë janë këto reforma. Gjithçka do të varet nga ritmi dhe mënyra se si do të miratohen këto reforma dhe si do të vihen ato në zbatim”, tha ambasadorja.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


