Shumë interesante – përplasja Rama–Veliaj po merr formën e një seriali politik, ku “miqtë e dikurshëm” sot janë kthyer në armiqtë më të ashpër.
Dikur shfaqeshin krah për krah, buzëqeshnin nëpër inaugurime dhe ndanin fjalë të mëdha për “rilindjen” e Tiranës e Shqipërisë. Sot, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë kthyer në armiq të betuar, duke u akuzuar si tradhtarë, sabotatorë dhe arkitektë të kurtheve mafioze ndaj njëri-tjetrit. Kjo është panorama e re e politikës shqiptare, ku miqësitë zgjasin vetëm sa një tender, e sapo mbyllet skema, nis edhe gjahu i radhës.
Nga burgu, ish-kryebashkiaku Veliaj flet me gjuhën e një protagonisti të tragjikomedisë politike: i persekutuar, i tradhtuar dhe, sipas tij, viktimë e një kurthi mafioz të ngritur nga vetë shefi i tij politik i dy dekadave. Me tone dramatike ai shpall: “Jam i burgosur, por nuk jam në burg!” – një thirrje që duket më shumë si trailer i një filmi të prodhuar nga Netflix sesa si mesazh politik.
Ironia është e hidhur: Veliaj ankohet se është “sabotuese” që Tirana mbeti pa të, ndërsa harron se për vite të tëra ishte njeriu i parë i Ramës për të zbatuar projektet më të debatuara e më të akuzuara të kryeqytetit. Po kush e bëri këtë qytet peng i aferave dhe betonit, nëse jo ky binom i pandashëm deri dje?
Tani, ndërsa ish-bashkëpunëtorët e ngushtë hedhin baltë mbi njëri-tjetrin, qytetarët shqiptarë shohin me habi skenën e radhës: dëshmitarë që tërheqin fjalët, letra noteriale që mohojnë çdo takim, dhe një luftë nervash për të mbijetuar politikisht. Këto rrëfime nuk janë as për të qeshur, as për të qarë – janë thjesht shfaqja e radhës në teatrin politik shqiptar, ku dje ishin “vëllezër” dhe sot e quajnë njëri-tjetrin “kurth mafioz”.
Në fund, qytetarët e thjeshtë ndoshta thonë me të drejtë: po nëse këta i bënë kurth njëri-tjetrit, çfarë nuk kanë bërë për ne të tjerët?
Postimi i plotë:
“Mesazh nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Uroj të jeni mirë!
Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!
Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.
Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen.
E bëj këtë për disa grupe:
– Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.
– Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!
– Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrike! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re.
Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!
Pjesë nga rrëfimi noterial më poshtë:
(1) Nuk kam parë kurrë z. Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në prani të personave të tjerë, në Itali apo të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të kishte lidhje me inceneratorin;
(2) Nuk e kam takuar kurrë z. Erion Veliaj, as personalisht as në prani të personave të tjerë, as në Itali as në Shqipëri, në “Cioccolati Italiani” apo “Tribe”, dhe as nuk kam komunikuar me të, as personalisht as përmes personave të tjerë, me telefonata, mesazhe apo në ndonjë formë tjetër komunikimi;
(3) Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;
(4) Të gjitha deklaratat që kam dhënë në lidhje me z. Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat” në “Syri TV”, si edhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to, për përfitime financiare.”

Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA