BRUKSEL – Komisioni Europian i ka kërkuar Shqipërisë të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të garantuar përputhjen me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Europian, ndërsa vazhdojnë debatet dhe protestat lidhur me resortin luksoz të planifikuar në bregdetin shqiptar.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, deklaroi se Shqipëria duhet të shmangë çdo veprim që mund të pengojë përmbushjen e kritereve të negociatave me BE-në, veçanërisht në kapitullin që lidhet me mjedisin.
“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të cenojnë përmbushjen e standardeve të kërkuara dhe ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë,” tha Mercier, duke shtuar se Brukseli është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për këtë çështje.
Paralajmërimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi për Reuters se qeveria shqiptare do të vazhdojë me projektin e resortit luksoz, pavarësisht kundërshtimeve të ambientalistëve dhe protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në zonën ku parashikohet ndërtimi.
Protestat janë pagëzuar nga aktivistët si “Revolucioni i Flamingove”, pasi zona e prekur konsiderohet një pikë e rëndësishme ndalese për flamingot dhe shpendë të tjerë migratorë. Kundërshtimi ndaj projektit është zgjeruar gradualisht edhe në kritika më të gjera ndaj qeverisjes 13-vjeçare të Edi Ramës.
Bashkimi Europian ka deklaruar se vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina mund të bëhen pjesë e unionit deri në vitin 2030, por vetëm nëse arrijnë të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me standardet europiane, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Nga ana e tij, kryeministri Rama ka minimizuar shqetësimet mjedisore, duke theksuar se do të realizohet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se Shqipëria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Burimi: Reuters
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


