Qindra automjete të mbushura me protestues kanë hyrë në Tiranë për t’iu bashkuar protestës në mbështetje të Zvërnecit. Autokolona, e cila ka udhëtuar nga vende të ndryshme të Europës, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, është pritur me interes nga qytetarët përgjatë rrugëve të kryeqytetit.
Flamujt e vendosur në automjete dhe numri i madh i pjesëmarrësve kanë krijuar një atmosferë të veçantë, ndërsa shumë të rinj dhe qytetarë janë bashkuar drejtpërdrejt me protestën, duke shprehur mbështetjen e tyre për kauzën e mbrojtjes së Zvërnecit.

Organizatorët presin një pjesëmarrje të gjerë në protestën e sotme, ku qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë mbledhur për të ngritur zërin kundër projektit që ka shkaktuar debat dhe kundërshtime të shumta. Mbërritja e autokolonës në Tiranë shihet si një nga momentet më simbolike të mobilizimit të protestuesve, të cilët prej ditësh kanë përshkuar mijëra kilometra për të qenë të pranishëm në këtë tubim.
Ndërkohë, grupe të shumta të rinjsh dhe qytetarësh vazhdojnë t’i bashkohen protestës, duke e kthyer atë në një manifestim të gjerë solidariteti dhe angazhimi qytetar.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


