23.4 C
Sterling Heights
20/06/2026, 15:22
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Rama për protestat e Zvërnecit: “Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetRama për protestat e Zvërnecit: “Shqipëria u kthye në syrin e një...

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në mënyrë të detajuar lidhur me protestat që po zhvillohen prej afro tre javësh kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit. Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë e cilësoi debatin e krijuar si një fenomen që ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është shndërruar në një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe media ndërkombëtare.

Sipas Ramës, diskutimet dhe kundërshtimet për projektin kanë marrë përmasa të pazakonta, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes së aktorëve të ndryshëm, nga përdoruesit e rrjeteve sociale deri te media, forca politike dhe interesa ekonomike jashtë vendit.

“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë”, deklaroi Rama, duke argumentuar se debati është amplifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme në platformat online.

Kryeministri përdori një sërë krahasimesh dhe ironish për të përshkruar ata që, sipas tij, janë përfshirë në polemikat rreth Zvërnecit. Ai përmendi “patriotë dixhitalë”, figura publike, media nga vende të ndryshme, parti politike në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe aktorë të industrisë së turizmit në rajon.

Në fjalën e tij, Rama sugjeroi se çështja e Zvërnecit është paraqitur në mënyrë të ekzagjeruar, duke ironizuar pretendimet se në këtë zonë po vendosej fati i çështjeve globale mjedisore. Ai tha se “befas Zvërneci u bë kërthiza e botës”, ndërsa debati publik mori dimensione shumë më të mëdha sesa vetë projekti në diskutim.

Kreu i qeverisë rezervoi kritika edhe për opozitën, të cilën e akuzoi se po përfiton politikisht nga situata. Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se rrjetet sociale kanë krijuar një atmosferë histerie kolektive, ku sipas tij janë bashkuar grupe dhe individë me interesa dhe motive të ndryshme.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur protestat për Zvërnecin vazhdojnë të mobilizojnë qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare. Kundërshtarët e projektit pretendojnë se investimi cenon një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit, ndërsa qeveria këmbëngul se projekti do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do të respektojë standardet mjedisore.

Debati për Zvërnecin mbetet një nga çështjet më të diskutuara të javëve të fundit, duke prodhuar përplasje të forta politike, reagime të shumta në rrjetet sociale dhe një mobilizim të gjerë qytetar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në përpjekje për të minimizuar protestat, kryeministri zgjodhi një metaforë të pazakontë: sipas tij, flamingot e Zvërnecit paskan hyrë në aleancë me “kazanin dixhital”. Por ndërsa qeveria sheh një koalicion imagjinar mes shpendëve dhe rrjeteve sociale, mijëra qytetarë këmbëngulin se në terren nuk protestojnë as flamingot dhe as algoritmet, por njerëz realë që kërkojnë të dëgjohen. Ndoshta kjo është hera e parë në historinë politike shqiptare kur një debat për mjedisin shndërrohet në një betejë mes flamingove dhe Facebook-ut.

Ja nje pjese e fjales:

Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni dixhital. Një vorbull më e madhe sesa përmasat e vendit tonë. Kjo vorbull përfshiu të reja, të rinj, patriot dixhitalë, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, njerëz nga të gjitha kontinentet, media sociale dhe tradicionale nga të gjitha kontinentet, parti politike në Europë dhe në SHBA, aktorë të biznesit të turizmit në rajon dhe aktorë shtetërorë malinj ndaj Shqipërisë.

Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore.

Bota shqiptare u njehsua me histerinë e kanaleve sociale, duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtare zogjtë më elegantë të botës, Flamingot, me fundin e kazanit dixhital.

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img