29 vatra zjarri në 24 orë, 11 vijojnë të jenë aktive në të gjithë vendin
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar gjithsej 29 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë.
Në Dajt të Tiranës, ekipet po ndërhyjnë në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Monitorimi vijon edhe në Priskë të Madhe, ku situata nuk paraqet kërcënim për banesat.
Në qarkun Gjirokastër, mbeten aktive vatrat në malin e Nëmërçkës dhe në malin e Dhëmbelit, në zonën e Përmetit. Terreni i vështirë po e bën më të komplikuar ndërhyrjen, ndërsa zjarrfikësit, punonjësit e shërbimit pyjor dhe vullnetarët po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve. Deri tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë angazhuar forca të shumta nga bashkia, Forcat e Armatosura, Policia, AdZM-ja dhe vullnetarë. Ndërhyrja ka mundësuar kontrollin e perimetrit pranë banesave, duke larguar rrezikun për to. Për shuarjen e vatrave nga ajri janë përdorur edhe dy avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në zona ku zjarri mbetet ende intensiv.
Në Qafën e Helmes, në zonën Bulqizë-Dibër, zjarri vijon të jetë aktiv në terren pyjor. Në operacion janë përfshirë forca zjarrfikëse, bashkiake dhe efektivë nga njësia administrative Selishtë.
Në Troje të Mirditës, operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet me pjesëmarrjen e zjarrfikësve, forcave bashkiake, Policisë, Forcave të Armatosura dhe vullnetarëve. Ekipet po punojnë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të vendosur situatën nën kontroll.
Në Shkodër, vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat pyjore janë në terren për izolimin e tyre. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Edhe në Elbasan vijojnë ndërhyrjet. Një vatër mbetet aktive në Dardhë të Librazhdit, ku po punojnë ekipet e MZSH-së, shërbimit pyjor dhe bashkisë. Një tjetër vatër raportohet në Shalës të Cërrikut. Në Dardhë, sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Sipas të dhënave zyrtare, 11 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 vatra janë në monitorim dhe 4 janë nën kontroll. Forcat operacionale vijojnë punën në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive, si dhe për monitorimin e zonave ku situata paraqet rrezik për përhapjen e flakëve.
Situata e zjarreve mbetet shqetësuese gjatë këtyre ditëve të nxehta të gushtit, veçanërisht në zonat me bimësi të dendur dhe terren të vështirë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen maksimalisht të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre.
Ekipet e emergjencave dhe strukturat vendore vijojnë të jenë në gatishmëri për ndërhyrje, ndërsa monitorimi i vatrave do të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


