
Rinia është forca më e madhe e shoqërisë. Ajo sjell inovacion, besim dhe forcë për të sfiduar të pamundurën dhe dëshirën për të ndërtuar një botë më të mirë. Të besosh te rinia nuk do të thotë thjesht t’u thuash të rinjve se “ju jeni e ardhmja”. Do të thotë t’u krijosh mundësi reale për të mësuar, për të punuar, për të shprehur mendimin e tyre dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje. Do të thotë t’i dëgjosh, jo vetëm t’u flasësh. Shpesh, të rinjtë përballen me pasiguri për të ardhmen, vështirësi në zgjedhje profesioni , presionin e rrjeteve sociale dhe dilemën nëse duhet të qëndrojnë apo të largohen nga vendi. Ajo që nevojitet më shumë ti bindim të rinjtë se besimi dhe përpjekjet e tyre kanë kuptim. Arsimi ka një rol të pa zëvëndësueshem në këtë proces. Një shkollë e mirë nuk duhet vetëm të transmetojë njohuri; ajo duhet të nxisë mendimin kritik, të zbulojë talentet dhe t’i ndihmojë të rinjtë të kuptojnë se çfarë duan të bëjnë me jetën e tyre. Orientimi profesional është po aq i rëndësishëm sa vetë arsimi, sepse një i ri që njeh aftësitë dhe potencialin e tij është më i aftë të marrë vendime të sigurta për të ardhmen. Por ndryshimi nuk mundtë varet vetëm prej tyre. Familja, shkolla, institucionet dhe shoqëria kanë përgjegjësinë për të krijuar një mjedis ku një i ri të ndihet i dëgjuar, i vlerësuar dhe me prespektivë për të ardhmen. Një i ri që ndihet i vlerësuar, kontribuon. Një i ri që ndihet i dëgjuar, angazhohet. Një i ri që beson te vetja, guxon. Dhe një brez që guxon, mund ta zhvillojë një shoqëri më tutje. Prandaj, të rinjtë nuk duhet vetëm të ëndërrojnë, por duhet t’u japim atyre mundësinë e arsimimit cilësor dhe hapësirën për t’i kthyer ëndrrat në realitet.
Ndryshimi fillon me një rini që beson se mundet.


