Presidenti Begaj reagon për protestat e të rinjve: Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, por dhuna nuk është zgjidhje
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për protestat e zhvilluara gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Kreu i Shtetit ka vënë në dukje rëndësinë e dëgjimit të zërit të të rinjve, të cilët i cilëson si shpresën dhe të ardhmen e vendit.
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve”, shkruan Begaj në mesazhin e tij, duke theksuar se ka ndjekur nga afër protestat dhe kërkesat e qytetarëve, por edhe aktet e dhunës që kanë shoqëruar zhvillimet e fundit.
Presidenti nënvizon se e drejta e qytetarëve për t’u dëgjuar nuk duhet të vihet në diskutim, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilët kërkojnë të shprehin shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen.
“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim”, shprehet Begaj.
Megjithatë, Kreu i Shtetit e ndan qartë të drejtën për të protestuar nga përdorimi i dhunës, duke theksuar se kjo e fundit dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe thellon përçarjen.
“Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, thekson Presidenti, duke bërë thirrje që dallimet politike dhe shoqërore të mos kthehen në burim përçarjeje, por të shërbejnë si nxitje për dialog dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve.
Në mesazhin e tij, Begaj u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë maturi dhe të shmangin veprimet që mund të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Ai gjithashtu shpreh mbështetjen për forcat e rendit në ushtrimin e detyrës së tyre, duke uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, si policë, ashtu edhe protestues.
Në përfundim, Presidenti deklaron se është i gatshëm të ofrojë hapësirë për dialog dhe mirëkuptim, duke ftuar aktorët e përfshirë të angazhohen në bashkëpunim.
“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi”, shkruan Begaj, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen për dialog në interes të rinisë dhe të Shqipërisë.
Reagimi i Presidentit vjen në një moment tensionesh, kur protestat e të rinjve kanë vënë në qendër të vëmendjes kërkesat e tyre dhe përplasjet me forcat e rendit. Mesazhi i tij synon të nxisë uljen e tensioneve, por edhe të rikujtojë se zëri i qytetarëve, veçanërisht i brezit të ri, duhet të dëgjohet në një shoqëri demokratike.
Mesazh i plotë nga presidenti Bajram Begaj
“Të dashur qytetarë,Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.
Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.
Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike. Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.
Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.”
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


