Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, kanë dhënë sqarime pas ndërprerjes së papritur që paralizoi për disa orë nisjet e fluturimeve në aeroportet e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë deklaratave për mediat, Mullin theksoi se deri në atë moment nuk kishte asnjë tregues se incidenti ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik apo një veprim i qëllimshëm kundër vendit. Ai e përshkroi situatën si një ndërprerje të telekomunikacionit dhe siguroi qytetarët se të gjithë udhëtarët ishin të sigurt dhe se fluturimet ishin të identifikuara.
“Është thjesht një ndërprerje e telekomunikacionit, për momentin”, deklaroi Mullin, duke shtuar se nuk kishte arsye që familjarët të shqetësoheshin për njerëzit e tyre që ndodheshin në avionë. Ai theksoi gjithashtu se incidenti nuk duhet ngatërruar me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.
Nga ana tjetër, Sekretari i Transportit, Sean Duffy, shpjegoi se problemi kishte prekur 22 qendrat rajonale të kontrollit të trafikut ajror, të cilat koordinojnë lëvizjen e avionëve në hapësirën ajrore amerikane. Për shkak të humbjes së komunikimit, autoritetet vendosën të ndalonin nisjet në të gjithë vendin, si masë parandaluese për garantimin e sigurisë.
Një nga çështjet më shqetësuese që doli në pah gjatë deklaratave ishte gjendja e teknologjisë së përdorur nga sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror. Zyrtarët pranuan se infrastruktura është e vjetëruar dhe se modernizimi i saj kërkon investime shumë më të mëdha. Kongresi ka miratuar 12.5 miliardë dollarë për këtë proces, por Duffy ka bërë të ditur se mund të nevojiten edhe rreth 30 miliardë dollarë të tjerë për përfundimin e modernizimit.
Mullin bëri të ditur se hetuesit do të shqyrtojnë edhe nëse ka ndonjë lidhje me sistemin e ri të inteligjencës artificiale që FAA ka filluar të përdorë për menaxhimin e hapësirës ajrore. Megjithatë, deri tani nuk është paraqitur asnjë provë që ky sistem ka shkaktuar ndërprerjen. Kompania që zhvilloi teknologjinë ka deklaruar gjithashtu se problemi nuk lidhet me platformën e saj.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare hodhi poshtë edhe lidhjen me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it një ditë më parë, duke thënë se nuk kishte arsye të mendohej se dy incidentet kishin të njëjtin shkak.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi heqjen e ndalimit kombëtar pas gati pesë orësh. Megjithatë, pasojat nuk u zhdukën me rikthimin e lejes për nisjen e fluturimeve. Të paktën 827 fluturime u devijuan, ndërsa rreth 11 mijë fluturime, me më shumë se 1.5 milionë pasagjerë, ishin planifikuar të niseshin pas orës 16:00 nuk u nisën.
Edhe pse autoritetet nuk kanë raportuar kërcënim për sigurinë kombëtare, incidenti ka nxjerrë në pah një problem serioz: varësinë e një prej sistemeve më të rëndësishme të transportit në botë nga infrastruktura teknologjike që kërkon modernizim urgjent.
Hetimi për shkakun e saktë të ndërprerjes vazhdon. Për momentin, fluturimet mund të rifillojnë, por pyetjet mbi qëndrueshmërinë e sistemit amerikan të kontrollit ajror mbeten ende pa përgjigje.
Një nga mesazhet më të rëndësishme të konferencës ishte garancia e dhënë për sigurinë e pasagjerëve. Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, u përpoq të qetësonte qytetarët me një deklaratë të drejtpërdrejtë: “Të gjithë janë të sigurt. Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar për të dashurit tuaj nëse janë duke fluturuar.” Ai shkoi edhe më tej, duke theksuar: “Asnjë jetë dhe asnjë fluturim nuk u vunë në rrezik.” Sipas tij, ndalimi i përkohshëm i nisjeve ishte një masë parandaluese, e marrë për shkak të problemeve të komunikimit në sistemin e kontrollit ajror, dhe jo sepse avionët që ndodheshin në ajër apo pasagjerët e tyre ishin në rrezik.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


