“Mirëmëngjes nga deti Adriatik ku Anija ‘Oriku’ e Forcës Detare mori pjesë në stërvitjen rajonale ‘ADRION LIVEX 25’ në Mal të Zi, së bashku me forcat detare të gjashtë vendeve të Adriatikut dhe Jonit” – kështu njoftoi Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë momente nga ky angazhim i rëndësishëm ndërkombëtar.
Stërvitja “ADRION LIVEX 25” është një ndër aktivitetet më të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak detar në rajon, ku marrin pjesë vendet bregdetare të Adriatikut dhe Jonit: Shqipëria, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Qëllimi i saj është rritja e ndërveprimit, koordinimit dhe gatishmërisë operacionale mes forcave detare të vendeve pjesëmarrëse në përballimin e situatave emergjente detare, ndihmës humanitare dhe operacioneve të sigurisë detare.
Anija patrulluese “Oriku” përfaqësoi Forcën Detare shqiptare me profesionalizëm dhe përkushtim, duke qenë pjesë aktive e manovrave detare dhe skenarëve të përbashkët të stërvitjes. Ky angazhim vjen si pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe për të forcuar rolin e saj në kuadër të bashkëpunimit me vendet partnere në NATO dhe Mesdheun Lindor.

Pjesëmarrja në “ADRION LIVEX 25” është një dëshmi e qartë se sado e vogel, Forca Detare shqiptare është gjithnjë e më e pranishme në misionet rajonale dhe ndërkombëtare, duke rritur standardet e saj të operimit dhe besueshmërinë në skenën e bashkëpunimit ushtarak.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA