16.5 C
Sterling Heights
17/06/2026, 22:04
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Nga “fashistët” tek “turma digjitale” – kur protestuesit bëhen rrezik për demokracinë, por pushteti jo

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetNga “fashistët” tek “turma digjitale” – kur protestuesit bëhen rrezik për demokracinë,...

Kryeministri Edi Rama ka vendosur edhe një herë të luajë rolin e historianit, sociologut dhe mbrojtësit suprem të demokracisë shqiptare. Në një reagim të gjatë ndaj protestave të rinisë kundër projektit në Zvërnec, ai paralajmëron rrezikun e madh që, sipas tij, vjen nga “ekstremizmi i rrugës”, “turmat digjitale” dhe “linçimi publik”.

Lexuar pa kontekst, mesazhi tingëllon si një reflektim serioz mbi sfidat e demokracive moderne. Por kur vendoset përballë realitetit shqiptar, lind pyetja e pashmangshme: a po flet kryeministri për protestuesit apo po përshkruan mekanizmat që vetë pushteti ka përdorur për vite me radhë kundër kritikëve të tij?

Sepse në Shqipëri, rruga nuk u bë problem kur qytetarët dolën të protestojnë për mjedisin. Përkundrazi, për vite me radhë protesta është konsideruar e shenjtë nga vetë Rama sa herë që i shërbente kauzave të tij politike. Tani që në rrugë kanë dalë të rinj që kundërshtojnë një projekt të mbështetur nga qeveria, protesta papritur shndërrohet në pararendëse të ekstremizmit europian të viteve ’30.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur flitet për “bullizëm”, “linçim” dhe “heshtje të imponuar”. Vështirë të gjesh një figurë politike në Shqipëri që ka përdorur më shpesh etiketime për kundërshtarët sesa vetë kryeministri. Nga “kazan”, “bufa”, “çyrykë”, “hajvanë”, “llum” e deri tek krahasimet me fashistë, lista e fjalorit politik të Ramës është shumë më e gjatë sesa lista e protestuesve që ai kritikon.

Në thelb, mesazhi i tij duket se përpiqet të zhvendosë debatin nga ajo që kërkojnë protestuesit tek mënyra se si protestojnë. Është një teknikë e njohur politike: kur argumentet e kundërshtarit janë të vështira për t’u rrëzuar, sulmo karakterin e kundërshtarit. Në vend që të diskutohet për ndikimin e projektit në Zvërnec, për ligjet mjedisore apo për shqetësimet e qytetarëve, fokusi zhvendoset tek “turma”, “ulërimat” dhe “marshimet”.

Por historia që përmend kryeministri ka edhe një mësim tjetër: demokracitë nuk dobësohen vetëm nga ekstremizmi i rrugës. Ato dobësohen edhe kur pushteti fillon të shohë çdo kritik si armik, çdo protestë si kërcënim dhe çdo kundërshtim si akt destabilizues.

Në fund të fundit, nëse disa qindra të rinj që mbajnë pankarta dhe bllokojnë rrugë për disa orë përbëjnë një rrezik ekzistencial për shtetin, atëherë problemi mund të mos jetë forca e protestës. Mund të jetë dobësia e argumenteve të atyre që qeverisin.

Postimi i plotë: 
Një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën.
Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.
Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit.
Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.
Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin.
Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve.”

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img