
Procedura disiplinore ndaj ish-dekanes së Mjekësisë Dentare pezullohet pas ndërhyrjes së ILDKPKI-së…
Në muajin qershor 2026, “Pamfleti” raportoi për nisjen e një procesi disiplinor ndaj ish-dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare dhe aktualisht drejtuese e një departamenti në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, Prof. Dr. Edit Xhajanka, procedurë e iniciuar pas kërkesës së dekanes, Prof. Asoc. Silvana Bara, për largimin e saj nga detyra. Një zhvillim i papritur ka shoqëruar procesin disiplinor të nisur ndaj Prof. Dr. Edit Xhajankës.
Sipas informacioneve të siguruara nga brenda Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, procedura disiplinore është pezulluar.
Të njëjtat burime pohojnë se ky zhvillim ka ardhur menjëherë pas përfshirjes së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Sipas tyre, institucioni ka kërkuar informacion të detajuar, pasi disponon dokumentacion që lidhet me veprimtarinë institucionale të Prof. Dr. Xhajankës gjatë viteve të fundit. Në këtë dokumentacion, sipas burimeve, përfshihen sinjalizime të rëndësishme adresuara prej saj brenda Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe pranë institucioneve të tjera shtetërore, lidhur me çështje të natyrës akademike, administrative dhe të konfliktit të interesit.
Çështja ka ngjallur interes dhe diskutime të gjera në komunitetin akademik, pasi Prof. Dr. Edit Xhajanka konsiderohet një nga figurat më të njohura të stomatologjisë shqiptare, me një karrierë të gjatë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe drejtim akademik. Ajo gëzon vlerësim si në Shqipëri, ashtu edhe në qarqet profesionale ndërkombëtare, ndërsa kontributi i saj në zhvillimin e Fakultetit të Mjekësisë Dentare vlerësohet nga shumë kolegë dhe ish-studentë.
Pezullimi i procedurës disiplinore pritet të hapë një fazë të re të kësaj çështjeje, e cila vazhdon të ndiqet me interes të lartë brenda dhe jashtë Universitetit të Mjekësisë. Mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të dalin me një qëndrim zyrtar mbi arsyet e këtij zhvillimi dhe mbi hapat që do të ndiqen në vijim, ndërsa “Pamfleti” do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë dosje dhe çdo zhvillim që lidhet me të./Pamfleti


