Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama drejtuar socialistëve qe jane “shpirtra te humbur” për të kontribuar me ide dhe propozime në kuadër të asaj që ai e ka quajtur “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Spiropali u shpreh optimiste se një projekt i tillë do të realizohet, duke theksuar se vendi ka nevojë për një vizion të ri zhvillimi që synon një Shqipëri më moderne, më të drejtë dhe më pranë standardeve europiane.
Në reagimin e saj, ajo vuri theksin te nevoja që Partia Socialiste të reflektojë mbi vetveten dhe të ndërmarrë procese të brendshme reformimi. Sipas Spiropalit, forca politike që qeveris vendin duhet të jetë më dinamike, më demokratike dhe më e aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, në mënyrë që të ruajë besimin e qytetarëve dhe të vazhdojë të luajë një rol qendror në zhvillimin e vendit.
Mesazhi i saj është interpretuar nga analistë politikë si një thirrje për rinovim të brendshëm dhe forcim të standardeve të funksionimit brenda Partisë Socialiste, veçanërisht në një periudhë kur debati për të ardhmen politike të vendit dhe procesin e integrimit europian është intensifikuar.
Deklarata e Spiropalit vjen në vazhdën e mbledhjes së fundit të grupit parlamentar socialist, ku kryeministri Rama u kërkoi anëtarëve të partisë të zgjedhin qartë pozicionimin e tyre politik. Ai theksoi se socialistët duhet të angazhohen në projektin e integrimit europian dhe në transformimin e vendit, duke lënë të kuptohet se kjo është rruga që Partia Socialiste duhet të ndjekë në vitet e ardhshme.
Në qendër të debatit mbetet koncepti i “Marrëveshjes së Re”, një nismë që synon të krijojë një platformë të re politike dhe shoqërore për Shqipërinë. Megjithatë, mënyra se si do të ndërtohet kjo platformë dhe reformat konkrete që do ta shoqërojnë atë mbeten ende për t’u qartësuar.
Reagimi i Spiropalit ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të raportit të saj me kryeministrin Rama, pasi muajt e fundit në media janë raportuar mospërputhje qëndrimesh mes tyre për çështje të ndryshme politike. Pavarësisht kësaj, mesazhi i saj lë të kuptohet se ajo mbështet nevojën për një projekt të ri politik, duke kërkuar njëkohësisht që ndryshimi të nisë nga vetë Partia Socialiste.

Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


