Kryeministri Edi Rama duket se ka vendosur një standard të ri për demokracinë shqiptare: protesta është e mirë vetëm kur miratohet nga ai vetë.
Në podkastin “Flasim”, kreu i qeverisë u përpoq të ndajë protestuesit në dy kategori. Nga njëra anë janë qytetarët që protestojnë për halle konkrete, si rasti i një qytetari të prekur nga tërmeti i vitit 2019, të cilin Rama e quajti shembull të një proteste legjitime. Nga ana tjetër, sipas tij, janë ata që dalin në rrugë të nxitur nga rrjetet sociale, influencuesit, nacionalizmi apo manipulimet politike.
Paradoksi qëndron pikërisht këtu. Në një demokraci, legjitimiteti i protestës nuk përcaktohet nga kryeministri, por nga e drejta kushtetuese e qytetarëve për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Kur pushteti fillon të ndajë protestuesit në “të mirë” dhe “të këqij”, lind pyetja nëse po gjykohet problemi apo personi që e ngre atë.
Ironia bëhet edhe më e fortë kur Rama deklaron se, po të ishte në vendin e qytetarit që pret prej gjashtë vitesh zgjidhjen e banesës së dëmtuar, “edhe vetë do të ishte në protestë”. Kjo është një pranim indirekt se shteti që ai drejton prej më shumë se një dekade ka dështuar të zgjidhë një problem që vetë e konsideron të drejtë për protestë. Në vend që kjo të shoqërohej me përgjegjësi politike, ajo u përdor si shembull për të dalluar protestat që qeveria pëlqen nga ato që e shqetësojnë.
Edhe deklarata se nuk pranon “sharlatanë”, “hipokritë” apo njerëz që t’i tregojnë se “si bëhet Shqipëria”, ngre një debat më të madh. Në një sistem demokratik, qytetarët nuk kanë nevojë për lejen e kryeministrit për të kritikuar qeverinë. Përkundrazi, është detyrë e qeverisë të dëgjojë kritikat, edhe kur ato janë të ashpra ose të pakëndshme.
Në fund, mesazhi që del nga kjo deklaratë është i qartë: protesta konsiderohet legjitime vetëm kur nuk sfidon pushtetin politik dhe kur përputhet me narrativën e qeverisë. Por historia ka treguar se protestat nuk lindin sepse i organizojnë rrjetet sociale apo influencuesit. Ato lindin kur pakënaqësia bëhet më e madhe se frika, kur qytetarët ndjejnë se nuk dëgjohen dhe kur besimi tek institucionet fillon të zbehet.
Ndoshta pyetja që mbetet nuk është se kush është “protestuesi i mirë” sipas kryeministrit, por pse pas kaq shumë vitesh në pushtet vazhdojnë të ekzistojnë aq shumë arsye që qytetarët të dalin në rrugë.
Ja nje pjesë nga podkasti:
“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron po ashtu që më motivon të vijoj luftë time,. Nuk më zemër protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit, kjo më zemëron, nëse nuk do të isha në vendin tënd i dashur Amos, do të isha edhe vetë në protestë.
E ndjej zemërimin tënd. Jo çdo kush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste , manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehen në zemërim e që më pas shpërthen.
Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranon çdo sharlatan apo njeri të futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria, këtë nuk e pranoj”, tha ai.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


